
Ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar nuk shënoi rritje në korrik
Ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar nuk pati rritje në korrik, pas tkurrjes më të madhe të prodhimit në industri në një vit.
Zyra për Statistika Kombëtare (ONS) tha se ekonomia nuk shënoi rritje gjatë muajit, në përputhje me pritshmëritë, pas një zgjerimi prej 0,4% në qershor.
Megjithatë, shifrat mujore janë të paqëndrueshme dhe ONS ka deklaruar se tashmë do të fokusohet tek rritja mbi një periudhë tre-mujore. Në tre muajt deri në korrik, ekonomia u zgjerua me 0,2%.
Qeveria është nën presion të shtuar për të përmbushur prioritetin kryesor të saj, nxitjen e rritjes ekonomike, përpara shpalljes së Buxhetit më 26 nëntor.
Në shpalljen e Buxhetit, Kancelarja Rachel Reeves do të paraqesë planet e qeverisë për taksat dhe shpenzimet, mes spekulimeve gjithnjë e më të mëdha se ajo do të detyrohet të rrisë taksat për të përmbushur rregullat fiskale që i ka vendosur vetes.
ONS tha se sektori i shërbimeve u rrit me 0,4% gjatë tre muajve deri në korrik, i ndihmuar nga performanca e mirë e sektorit të shëndetësisë, programimit kompjuterik dhe shërbimeve mbështetëse për zyra.
Megjithatë, kjo u kompensua nga rënia e prodhimit në sektorin industrial, që përfshin edhe prodhimin. Vetëm në korrik, prodhimi industrial u tkurr me 1,3%, rënia më e mprehtë mujore që nga korriku i vitit të kaluar.
Ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar u zgjerua me 0,7% në tre muajt e parë të vitit dhe më pas u rrit me 0,3% midis prillit dhe qershorit.
ONS tha se shifrat e fundit tregonin se ekonomia kishte “vijuar të ngadalësohej” gjatë tre muajve të fundit. Megjithatë, ajo mbetet në rrugë për t’u rritur gjatë tremujorit të tretë.
Të dhënat e fundit gjithashtu vijnë përpara vendimit të radhës të Bankës së Anglisë mbi normat e interesit më 18 shtator, me politikëbërësit që po peshojnë ngadalësimin e rritjes përballë inflacionit të lartë.
‘Shenjë e asaj që do të vijë’
Reeves pritet gjerësisht të rrisë taksat, por që ngaqë Laburistët premtuan se nuk do të rrisin taksat mbi “punonjësit”, pra tatimin mbi të ardhurat, Sigurimet Kombëtare dhe TVSH-në, spekulimet po shtohen për ndryshimet që mund të bëhen.
Kompanitë prej kohësh kanë folur për goditjen financiare nga rritja e Kontributeve të Sigurimeve Kombëtare të punëdhënësve dhe pagës minimale që hyri në fuqi në prill.
Disa kanë paralajmëruar se rritjet e taksave për biznesin mund të pengojnë më tej rritjen, duke thënë se po shtyjnë vendimet për punësim apo investime derisa të bëhen të qarta detajet e Buxhetit.
Duke iu përgjigjur shifrave më të fundit të rritjes, një zëdhënës i Departamentit të Thesarit tha: “E dimë që ka ende shumë për të bërë për të nxitur rritjen, sepse ndonëse ekonomia jonë nuk është thyer, duket sikur ka ngecur.
“Kjo është pasojë e viteve të tëra të nën-investimit, të cilin jemi të vendosur ta kthejmë përmes planit tonë për ndryshim.”
Kancelari në hije, Sir Mel Stride, tha: “Çdo rritje ekonomike është e mirëpritur, por kjo qeveri është e shpërqendruar nga problemet me të cilat përballet vendi.
“Ndërkohë që qeveria endet nga një skandal në tjetrin, kostot e huamarrjes arritën së fundmi një nivel më të lartë në 27 vite, një votë mosbesimi e turpshme ndaj Laburistëve që e bën pothuajse të sigurt rritjen e dhimbshme të taksave.”
Zëdhënësja e Thesarit nga Liberal Demokratët, deputetja Daisy Cooper, tha: “Qeveria flet për të ecur me shpejtësi drejt rritjes, por realiteti është se ata e kanë lënë frenin e dorës të ngritur.
“Taksat e tyre që dëmtojnë vendet e punës rrezikojnë të boshatisin qendrat tona tregtare dhe refuzimi i ministrave për të reduktuar burokracitë me Europën po pengojnë eksportuesit tanë.” /Monitor(https://monitor.al/ekonomia-e-mbreterise-se-bashkuar-nuk-shenoi-rritje-ne-korrik/)
Më të lexuarat








